Shkupi poston turqisht, pastaj tërhiqet nga reagimi i tifozëve “Shvercerat”!

E bukura është se klube të caktuara sado kudo i kushtojnë vëmendje pjesës mediale dhe informimit të publikut për ngjarjet e tyre përmes kanaleve vetanake. FC Shkupi është një prej skuadrave që kërkon ngritje të vazhdueshme në këtë drejtim, por së fundmi kanë provokuar reagim të ashpër të tifozëve të tyre dhe jo vetëm, pasi edhe gjithë opinioni në vend ka pritur me habi dhe gjykim postimin e fundit të ekipit nga Çairi! Duke paralajmëruar ndeshjen e rradhës në LPFMV me Tikveshin, si “rufe në qiell të hapur” erdhi postimi në dy gjuhë, shqipen e zakonshme dhe besoni apo jo edhe në gjuhën turke! Kaq ka mjaftuar për një “vullkan” komentesh dhe kritika të ashpra për këtë lëvizje e që si duket ka ndikuar te klubi që më vonë ka vendosur që në rrjetet sociale të përmirësojë postimin, duke “fshirë” pjesën në turqisht dhe duke lënë vetëm gjuhën shqipe! Por kjo vlenë vetëm për rrjetet sociale, pasi në web faqen zyrtare të FC Shkupit akoma mund të gjeni postimin në gjuhën turke e që vazhdon të mbeten të paqarta motivet e një veprimi të këtillë, që realisht solli vetëm kritikë dhe antireklamë kur dijmë se mbështetësit e kësaj skuadre 90% janë shqiptarë!

Leave a Reply