Valencia e quan vjedhje penalltinë e Realit ndaj tyre, reagon Pike: Kujdes, mund të ju dënojnë (VIDEO)

Real Madridit iu dha një penallti mjaft e lehtë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Valencias, e vlefshme për javën e 21-të në La Liga, ndërsa një gjë të tillë nuk ka lënë pa komentuar edhe mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike në një postim të bërë në faqen zyrtare të klubit nga Mestalja.

Real Madridi fitoi me rezultat të thellë 4:1 ndeshjen ndaj Valencias, edhe atë falë golave të shënuar nga Karim Benzema (43’, 88’) dhe Vinicius Junior (52’, 61’), teksa golin e vetyëm për mysafirët e realizoi Goncalo Guedes (76’).

Megjithatë, goli i parë i ndeshjes i shënuar nga Benzema përmes penaltisë solli shumë polemika.  E gjithë kjo pasi arbitri akordoi penalti pas një ndërhyrje apo dueli të lehtë ndaj Kasemiros brenda zonës.

Vendimi ishte i diskutueshëm dhe përsëritjet treguan se nuk kishte shumë kontakte. Por, VAR-i u pajtua me vendimin në fushë dhe penaltia u akordua, të cilën më pas në gol e shndërroi Karim Benzema, duke shënuar golin e tij të 300 me fanellën e Realit të Madridit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i faqes zyrtare të Valencias në “Twitter”, duke aluduar se kishte një “vjedhje të zakonshme” në Madrid.

“Vjedhjet në Madrid kanë filluar të jenë disi të zakonshme”, thuhet në postimin e bërë nga klubi i Valencias, duke iu referuar serialit “Money Heist”.

Duke parë këtë reagim të klubit nga Mestalja, mbrojtësi i Barcelonës Zherard Pike nuk mund të rezistonte dot, duke u përgjigjur me një koment poshtë postimit.

“Mos e thuaj me zë të lartë se do të të sanksionojnë”, – ishte reagimi i legjendës së Barcelonës.

Leave a Reply