Golat nga kontrolluesja e parë e Shkëndijës në Turqi (VIDEO)

Shkëndija gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese, në kuadër të javës së parë të përgatitjeve dimërore të cilat “kuqezinjtë” i zhvillojnë në Antalia të Turqisë. Kundërshtar i kuqezinjve në këtë ndeshje miqësore ishte ekipi hungarez BFC Siofok. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2:2, ndërsa trajneri Bruno Akrapoviq inkuadroi në lojë të gjithë lojtarët të cilët i kishte në dispozicion. Paraqitjen e tij të parë në fanellën kuqezi e kishte braziliani Mensalao, ndërsa në pjesën e dytë debutuan edhe tre përforcimet tjera Hasani, Cake dhe Manevski.

Ndeshja filloi me dominim të lehtë të kuqezinjve, por ishin hungarezët ata që kërcënuan të parët portën e Zahovit.

Ky kërcënim bëri që kuqezinjtë vazhdimin e ndeshjes ta marrin më seriozisht, duke rrezikuar me Doriev dhe Timovski.

E gjithë kjo paralajmëroi golin e Zija Merxhanit, i cili në maksimum shfrytëzoi pasimin e Valmir Nafiut, duke dërguar topin në rrjetën e hungarezëve në minutën e 28-të.

Shkëndija u kanos edhe në minutën e 40-të me anë të Doriev, mirëpo pa sukses, ndërsa hungarezët i ndëshkuan tetovarët në minutën e fundit të pjesës së parë, kur përmes sulmuesit Piter Horvat arritën të shënojnë për barazim të rezultatit në 1:1.

Në pjesën e dytë Shkëndija e nisi më ndryshe, pasi Akrapoviç vendosi që në lojë të inkuadrojë Manevskin, Bejtullain, Elezin, F. Ramadanin, Jessie Djou, Bilallin, Caken, Hasanin dhe Muratin.

Megjithatë ishin futbollistët e Siofok që shënuan të parët në këtë pjesë, kur duke shfrytëzuar një pakujdesi në vijën e mbrojtjes së kuqezinjëve, me anë të Ballazh Kiss shënuan golin e epërsisë.

Në minutat në vijim Shkëndija dominoi totalisht ndeshjen, derisa në minutën e 74-të arritën barazimin me anë të sulmuesit Dashmir Elezi.

Mihail Manevski mjaft mirë depërtoi nga e majta, duke gjetur në zonën kundërshtare Elezin, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi për 2:2.

Shkëndija deri në mbyllje të takimit u kanos edhe njëherë tjetër me anë të Mihail Manevskit, mirëpo goditja e tij përfundoi skaj shtyllës.

Ndeshjen e rradhës Shkëndija do ta zhvillojë kundër skukadrës polake të FC Piast Gliëice. (infOSport.mk)

Leave a Reply