Shkupjani Besart Xhemaili transferohet te FC Voska Sport

Sulmuesi anësorë nga Shkupi, Besart Xhemaili ka vendosur të ndryshojë mjedis, duke u transferuar në rradhët e FC Voska Sport, me të cilët firmos kontratë 1 vjeçare. 19-të vjeçari te ekipi strugan kalon nga tabori i FC Shkupit, ku kaloi të gjitha kategoritë e reja. Ndër vite u dallua me paraqitjet e tij në repartin e sulmit ku luan si alo i djathtë, ndërsa kjo i ka mundësuar të grumbullohet edhe me përfaqësueset e Maqedonisë për gjeneratat U17 dhe U19. Xhemaili u avansua në ekipin e parë të FC Shkupit duke u stërvitur nën urdhërat e trajnerit Goce Sedloski.

Mirëpo konkurenca e madhe te lideri i renditjes së Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë dhe gara për titull nuk është se linte shumë hapsira dhe shpresë për minutazh, kështu që futbollisti në konsultim me prindin dhe njerëz të afërm vendosën të ndryshojnë mjedis. Kështu u gjet akordi me FC Voska Sport dhe tashmë është firmosur kontrata për bashkëpunim 1 vjeçar, me opsion të vazhdimit nëse palët mbeten të kënaqura.

Të them të drejtën ndjehem shumë mirë për kalimin te Voska Sport, pasi besoj se do të gjejë hapsira për lojë. Jam falemenderues për FC Shkupin për gjithçka, kam kaluar shumë vite aty, por vlerësoj se një futbollist nuk mund të ec para nëse nuk luan. Prandaj jam i entuziazmuar për këtë lëvizje dhe do të jap gjithçka nga vetja për të arsyetuar besimin e ofruar nga klubi”, shprehet Besart Xhemaili.

FC Voska Sport luan në kategorinë e dytë të futbollit të Maqedonisë, është skuadër që po ritet në të gjitha drejtimet, ndërsa mbajnë pozitën e dytë në renditje ku minimalisht pretendojnë të qëndrojnë deri në fund të sezonit për të siguruar kualifikim historik në Ligën e Parë.

Leave a Reply