Arbnor Morina tregon çelësin e suksesit me Ferizajin

Ferizaji me Arbnor Morinën sezonin që lamë pas në Ligën e Parë të Kosovës tregoi një pasqyrë krejtësisht tjetër, duke luajtur një futboll shumë cilësor, duke treguar kualitet të lartë dhe mbi të gjitha një futboll modern, i cili i ngjasonte ndeshjeve të rangut më lartë, ku edhe do të luaj sezonin e ri, shkruan “infOSport.mk”.

Ferizaji në Ligën e Parë – Grupi B, në  27 ndeshje regjistroi 19 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 disfata, ndërsa vlen të theksohet se arritën një seri prej 22 ndeshjeve pa disfatë.

Sukseset e Ferizajit trajneri Morina, ua atribon të gjithëve, e në veçanti futbollistëve, që sipas tij kanë qenë më meritorët.

“Futbollistët do të kisha thënë se janë më meritorët për këtë sukses, pasi ishin shumë të përkushtuar në punë. Unë ju kam ndihmuar me e kthy vetëbesimin dhe për ti bindur se nuk kanë harruar për të luajtur futboll. Kemi bërë disa korigjime nëpër reparte dhe në koncept të lojës, dhe rezultati në fund ishte pozitiv” – u shpreh fillimisht trajneri i Ferizajit, Arbnor Morina, i cili nuk harroi pa falënderuar edhe presidetin e klubit me gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët ishin kujdesur që ai bashkë me stafin e tij dhe futbollistët ti kenë të gjitha kushtet.

“Për këto suksese patjetër se meritorë janë edhe presidenti me bashkëpunëtorët e tij, të cilët gjatë gjithë kohës kanë treguar seriozitet në ndërtim të strukturave të klubit. Me drejtorin Sportiv kemi qenë tërë kohën në koordinim rreth punës dhe ndeshjeve” – deklaroi Morina, i cili gati dy javë më parë vazhdoi kontratën me Ferizajin edhe për sezonin 2022/2023, kur me skuadrën e tij këtë herë do të garojë në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar.

“Superliga është nivel tjetër dhe me siguri se do të risim konkurrencën brenda ekipit. Aspiratat tona si klub janë që të jemi stabil në renditjen tabelare” – përfundoi Arbnor Morina, i cili para se të merrte drejtimin e Ferizajit drejtonte skuadrën e Arbërisë, ndërsa gjithashtu më herët kishte luajtur edhe rolin e Drejtorit Sportiv te Prishtina dhe te skuadra tjetër prishtinase e Flamurtarit. (infOSport.mk)

Leave a Reply