Dikur bashkë te Hajduku, tashmë te FC Shkupi, këtë herë në një rol tjetër!

Goce Sedlloski kryetrajner, Arben Nuhiu, ndihmës i parë i strategut nga Prilepi te skuadra nga Çairi, FC Shkupi. Është ky vendimi më i fundit i drejtuesve aktual të skuadrës kampione, që shpreson të rikthehet tek rezultatet pozitive, pas startit jo edhe aq të mirë që pati në 6 xhirot e deritanishme, shkruan “infOSport.mk”.

Dy fitore, një barazim dhe 2 disfata, edhe atë në dy xhirot e fundit, është epilogu i deritanishëm i FC Shkupit, skuadër kjo që të dielën në Çair do të mirëpret Rabotniçkin.

Të gjithë me shumë ëndje presin debutimin e dyshes Sedlloski-Nuhiu, dyshe kjo që për dy vite të plota (1995-1997) kishin mbrojtur ngjyrat e skuadrës së njohur kroate të Hajduk Split.

Si futbollistë, që të dy kishin një karrierë të suksesshme, ndërsa për të parin, Sedlloski, mund të thuhet se edhe në zejën e trajnerit doli të jetë shumë i suksesshëm, duke fituar 3 tituj kampion, dy me Vardarin dhe një me FC Shkupin. Një nismë të tillë shpresojmë të ketë edhe Arben Nuhiu, fillimisht si asistent, e më pas, pse jo edhe si kryetrajner, qoftë i FC Shkupit, apo edhe ndonjë skuadre tjetër. (infOSport.mk)

Leave a Reply