Paradoks kosovar, trajneri Nuhiu largohet edhe pse Drita del kampione e vjeshtës

Ndodh edhe kjo në nëntokat shqiptare. Duhet të lësh vendin e punës nga pakënaqësia e drejtuesve edhe pse ekipi ec paralel me ambiciet e vendosura paraprakisht. Mos me qenë shqiptarë, ndoshta duhet një analizë më e thellë për të tentuar të gjesh një arsyetim logjik të vendimit të drejtuesve të Dritës së Gjilanit për të shkarkuar trajnerin, Ardian Nuhiu. Themi për të tentuar, sepse t’ia arrish duket thuajse e pamundur!

Gati 4 vite në drejtim të skuadrës (plotë 1382 ditë trajner i Dritës), kampion në sezonin 2019/2020, pjesëmarrje në secilin sezon në Kupat e Evropës ku në dy raste ecën shumë mirë dhe u anuluan nga ekipe të mëdha si Feynordi i Holandës e Antverpeni i Belgjikës dhe në fund konkurent serioz për titullin kampion në edicionin aktual ku garojnë me një super rival si Ballkani që bëri histori me pjesëmarrje në grupet e UEFA Conference League. Gjithë këto “shpërblehen” me shkarkim nga detyra për pakënaqësi rezultatesh!

Në mos qoftë qesharake, do të ishte tragjike!

Të dielën zyrtarisht u mbyll gjysmësezoni vjeshtor në elitën e futbollit të Kosovës dhe Drita e Gjilanit do të dimërojë në pozitën e parë. Me pikë të barabarta me Ballkanin, por gjithsesi para tyre në renditje për efekt gol-diference.

Më 24 nëntor Drita komunikoi ndarjen me trajnerin Nuhiu, dy ditë para ndeshjes së fundit të pjesës së parë të kampionatit me Drenicën. Nga 38 pikë të grumbulluara, 35 erdhën me shkupjanin në pankinë, kurse vetëm 3 të fundit me Drenicën ishin nën drejtimin e trajnerit të portierëve, Afrim Shahini. Interesant, pas triumfit në Drenicë, ky i fundit deklaroi se fitorja shkon për ish-trajnerin Ardian Nuhiu, pasi suksesi është rezultat i punës së tij.

Ec e kupto tash këtë situatë paradoksale!?

Nis sezonin me ambicie për kampion, pret dimrin si lider para një rivali super cilësor e me moralin në qiell pas pjesëmarrjes në grupe dhe madje edhe i dedikon triumfin pas shkarkimit duke ja faturuar si rezultat i punës, por në fund duhet të ndahesh para një kryesie të pakënaur që tregojnë mosbesim edhe pse me ta ke kaluar plotë 1382 ditë si trajner i parë dhe paraprakisht edhe 146 ditë tjera si ndihmës trajner (kryetrajner ishte Shpëtim Duro).

Ky është realiteti me të cilin është përballur trajneri shkupjan Ardian Nuhiu, që megjithatë nga Drita largohet si fitues i madh, sepse përveç fakteve e rezultateve të lartëpërmendura, me vete merr edhe një super imazh të krijuar në opinion e media për sjelljen e tij prej profesionisti brenda dhe jashta fushës.

Leave a Reply