Zyrtare: Belgjika emëron seleksionuesin e ri

Federata e Futbollit belg ka vendosur për pasuesin e Roberto Martinez, i cili u largua nga drejtimi i Belgjikës, pas dështimit në Kupën e Botës “Qatar 2022”.

Vendin e strategut spanjoll te kombëtarja belge do ta zë italiani, Domeniko Tedesko.

37-vjeçari, i cili gjatë muajit shtator u shkarkua nga drejtuesit e skuadrës së Lajpcigut, De Brujnen me shokë do ta drejtojë deri në Kampionatin Evropian të vitit 2024.

Tedesko, pjesën më të madhe të karrierës së tij si trajner e ka kaluar në Gjermani, aty ku kishte filluar me grupmoshat e reja të Shtutgartit dhe më pas Hofenhajmit, që në vitin 2017-të të drejtojë ekipin e parë të Aue.

Pasoi një transferim te Shalke 04, te e cila skuadër qëndroi gati dy vite, që më pas të drejtonte skuadrën e njohur ruse të Spartak Moskës dhe së fundmi skuadrën e Lajpcigut.

Ai në total  numëron 251 ndeshje si trajner në karrierën e tij, duke arritur 132 fitore, 46 barazime dhe 73 disfata. Drejtimi i kombëtares së Belgjikës do të jetë pa dyshim detyra e tij më e vështira dhe hera e parë që do të drejtojë një kombëtare dhe jo skuadër. (infOSport.mk)

Leave a Reply