Talenti shkupjan, Alban Shabani vazhdon karrierën në Kroaci!

Talenti shkupjan, Alban Shabani, kontratën e parë profesionale do ta bëjë jashtë vendlindjes së tij, më saktësisht në Kroaci, edhe përkundër faktit se i njëjti mund të lunate edhe në ndonjë nga kampionatet më të njohura europiane, bazuar në cilësitë e tij por edhe CV-në që ka ky super talent, shkruan “infOSport.mk”.

Shabani që në moshën e tij 10-vjeçare ishte pjesë e kampeve të dy skuadrave të mëdha angleze,  Mançester Siti dhe Arsenal, që më pas të kaloj një periudhë të bukur edhe te skuadra turke e Antalyaspor, ndërsa i njëjti kishte provuar veten edhe me të rinjët e Strazburg dhe së fundmi me ekipin e parë të Seviljës.

Te këta të fundit Alban Shabani qëndroi për dy javë, ndërsa shumë pak mungonte që i njëjti edhe të nënshkruajë kontratë, mirëpo deri te një gjë e tillë nuk erdhi, kjo pas konsultimeve të dy menaxherëve të tij dhe babait, që bashkë vendosën se për momentin vendimi më i duhur për karrierën e tij do të ishte një kampionat më afër vendlindjes dhe që njihet për prodhimin e talentëve, kampionatin elitarë të Kroacisë.

Kështu, siç mëson “infOSport.mk”, Alban Shabani së shpejti pritet që të zyrtarizohet te skuadra e Gorica, aty ku më parë trajner ishte ish seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski.

Shabani, i cili ka kaluar thuajse të gjitha grupmoshat te Rabotniçki, me ekipin nga Gorica pritet të nënshkruajë kontratë një vjeçare me opcion vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Një vendim i duhur ky i menaxherëve dhe vetë lojtarit, i cili skuadrën e Goricas e sheh si trampolinë në karrierën e tij, ndërsa që në start mahniti drejtuesit e kësaj skuadre me disa nga paraqitjet e tij që pati në ndeshjet kontrolluese, teksa kundër serbëve të Radniçkit arriti të realizojë një super gol, pas një slalomi mes futbollistëve kundërshtarë.

Pikërisht lëvizjet e tij të shpejta në mesfushë, por edhe nuhatja për gol, janë arma më e fortë e Shabanit, mesfushorit me tipare sulmuese, i cili brenda kësaj jave pritet të prezantohet nga drejtuesit e Goricës.

Leave a Reply