Incidenti në fushë gjatë ndeshjes, Interi merr vendimin për Lukakun dhe Barellan

Nikolo Barella dhe Romelu Lukaku dhuruan një episod të shëmtuar në fundin e pjesës së parë në ndeshjen me Sampdorian, një episod që është shndërruar në simbol të momentit jo të lehtë dhe të tensionuar që po kalon Interi.

Protestat e vazhdueshme të mesfushorit ndaj arbitrit dhe shokëve të skuadrës sollën reagimin e belgut, që nuk është kursyer ndaj italianit.

“Qepe, mos guxo ta përsërisësh më, bir k***e”, ishin fjalët e sulmuesit, dukshëm i acaruar nga ankesat e vazhdueshme të Barelës, fjalë këto që edhe pse i pranoi në heshtje, sigurisht që nuk i kanë pëlqyer 26- vjeçarit.

Edhe pse në përfundim të ndeshjes, Inzagi shprehu se çdo gjë mes tyre kishte ngelur në fushë dhe gjithë situata në vijim dhe ditën e djeshme ishte e paqtë mes dyshes, duket se kryesisë nuk i ka pëlqyer aspak ajo përplasje mes dy prej lojtarëve kryesorë të tyre.

Ajo që është transmetuar nga ky episod është pikërisht ajo që drejtuesit duan të shmangin: klimën e tensionuar që nuk lejon triumfin përballë skuadrave të etiketuara si të vogla, përpos imazhit të klubit.

Edhe pse kanë qenë të qartë se nuk do të gjobisin askënd, tek Interi nuk duan të bëhet pjesë e skenave të tilla dhe kjo duket se i është përcjellë skuadrës, që tashmë duhet të tregohet më e kujdesshme në atë që ofron në fushë. E pikërisht për këtë temë është ndaluar për të folur ditën e djeshme nga gazetarët Xhuzepe Marota.

“Asgjë, nuk ka asgjë për të thënë”, ka qenë deklarata e administratorit të deleguar që ka dribluar pyetjet mbi incidentin, pa buzëqeshjen e zakonshme në fytyre.

TIFOZËT – Pavarësisht se askujt në ambientin zikaltër nuk i ka pëlqyer situata, për më tepër që nuk u pasua me një fitore, tifozët i kanë dalë në krah Romelu Lukakut. “Romelu ia ka bërë shumë mirë”, “Me gjithë respektin për Nikolon, e ka tepruar me ankesat”, “Barela ka shumë kapriço”, “Bare duhet të mendojë për lojën”, kanë qenë vetëm disa nga reagimet e tifozëve në rrjetet sociale duke theksuar ndër të tjera faktin se tashmë Lukaku duket më shumë se kurrë pjesë e Interit.

Leave a Reply