Jasir Asani grumbullohet nga Silvinjo për ndeshjet e marsit të Shqipërisë!

Edhe pse ende zyrtarisht nuk është publikuar lista e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e marsit nga ana e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, siç mëson “infOSport.mk”, një ndër emrat e grumbulluar me “kuqezinjtë”, është edhe ai i shkupjanit, Jasir Asani, që aktualisht luan në Korenë e Jugut me skuadrën e Gwangju FC.

Asani me skuadrën e tij të re ka zhvilluar 3 ndeshje, ku ka arritur që të realizojë edhe një gol, ndërsa kjo ka mjaftuar që shkupjani të vihet në planet e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare, Silvinjo.

Ky i fundit, gjithnjë sipas mediave në Shqipëri, thuhet se në kombëtare do të rikthejë edhe sulmuesin e mirënjohur, Armando Sadiku, që aktualisht luan në La Liga 2 me skuadrën e Cartagenës, për të cilën ka shënuar 8 gola, ndërsa emra të rinj për ndeshjet e marsit te Shqipëria, mund të jenë edhe ai i Anis Mehmetit, që po shkëlqen në Championship me Bristol Sitin si dhe ai i Andi Hadrojt të Partizanit.

Janë këto vetëm disa emra të lakuar nëpër media të ndryshme, derisa zyrtarisht një ftesë për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare, pas Jasir Asanit, ka marrë edhe kumanovari, Taulant Seferi. Një gjë të tillë, kujtojmë publike në faqen e saj zyrtare kishte bërë vetë klubi i Seferit, skuadra e Vorskla Poltavas. (infOSport.mk)

Leave a Reply