Fatjon Jusufi: Gostivari ka ambicie të larta dhe një projekt që më bindi

Fatjon Jusufi ditë më parë pranoi ofertën e Gostivarit, skuadër kjo që edicionin e ri do të garojë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Futbollisti i dalë kampion së fundmi me Struga Trim Lum, me skuadrën nga Pollogu ka nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa i njëjti për “infOSport.mk” ka treguar edhe arsyen e transferimit te KF Gostivari.

“KF Gostivari është ekip i ri këtë edicion, por që ka ambiciet e veta dhe ka projektin e vetë për të arritur suksese në vazhdimësi dhe per tu ngjitur dalë nga dalë në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit. Normalisht kërkohet shumë punë dhe përkushtim për ti përmbushur objektivat, gjë për të cilën do të jap më të mirën nga vetja për të ndihmuar këtë skuadër në arritjen e objektivave që ka” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Fatjon Jusufi, i cili edicionin e fundit me Struga Trim Lum luajti në 24 ndeshje, duke regjistruar 1 gol dhe 1 asist.

Ai gjithashtu shënoi edhe golin e vetëm në finalen e Kupës së Maqedonisë kundër Makedonija GJ.P, mirëpo për fat të keq në atë ndeshje skuadra strugane pësoi disfatë pas ruletit të penaltive, duke humbur mundësinë për të fituar të dy trofetë.

Ndryshe, Jusufi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me Renovën, Partizani, Shirak Gyumri, FC Shkupi dhe Struga Trim Lum. (infOSport.mk)

Leave a Reply