Zbulohet paga e Zahas te Galatasaraji, është shumë më e vogël se sa i ofruan Sauditët

Wilfried Zaha ka bërë një zgjedhje jokonvencionale për t’u transferuar te gjigandi turk, Galatasaraji. Sulmuesi 30-vjeçar i është bashkuar klubit turk si lojtar i lirë në një marrëveshje trevjeçare.

Ndërkohë drejtuesit e Galatasarajit kanë zbuluar detajet e kontratës.

Zaha do të përfitojë një tarifë neto nënshkrimi prej 2,330,000 eurosh dhe do të fitojë 4,350,000 në vit.

Çuditërisht, këto janë më pak para se ato që skuadra e tij, Kristal Pallas i ofroi për një rinovim kontrate. Sipas raportimeve të ndryshme, klubi anglez ishte gati t’i jepte yllit të tyre kryesor nga 6 deri në 8 milionë euro në vit.

Ndërkohë sa i përket pagës së ofruar nga sauditët e Al Nassr, ajo kapte vlerën e 30 milionë eurove në vit, por Zaha e refuzoi atë.

Një shpjegim i mundshëm është se Zaha dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve. Por megjithatë, pavarësisht se është kampioni i fundit turk, Galatasaraji duhet të kualifikohet fillimisht në fazën e grupeve.

Zaha u largua nga Kristal Pallas si një legjendë absolute dhe lojtari më i njohur i skuadrës në dekadën e fundit.

Ai me këtë skuadër zhvilloi 458 paraqitje, duke regjistruar 90 gola dhe 76 asistime, më shumë se çdokush tjetër për Pallas në epokën e Premierligës dhe i treti më i madhi në histori.

Leave a Reply