Llapi dhe Ferizaji fitojnë sërish, ferizajasit tashmë në garë edhe për Europë!

Dy skuadrat që po kërkojnë formën dhe stabilitetin në këtë fund të sezonit, Llapi dhe Ferizaj, kanë shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjet e javës së 29-të në “Albi Mall” Superligën e Kosovës në futboll.

Llapi i Tahir Batatinës ka shënuar fitoren e tretë radhazi në të gjitha garat, duke mposhtur në shtëpi Feronikelin 74, me rezultat minimal 1:0. Golin e vetëm në këtë përballje e realizoi sulmuesi Ardit Tahiri nga penalltia në fundin e pjesës së parë, saktësisht në minutën e 45-të.

Me këtë fitore, skuadra nga Podujeva largohet nga zona e rrezikshme dhe tashmë renditet në pozitën e 7-të me 36 pikë, po aq sa ka edhe Dukagjini i Ismet Munishit,  që është një pozitë më poshtë.

Ndërkohë, pas kësaj disfate, Feronikeli 74 edhe matematikisht ka humbur statusin e skuadrs elitare, ashtu që edicionin tjetër skuadra nga Drenasi do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës.

Fitore me shumë peshë ka regjistruar edhe skuadra e Ferizajit, që në këtë mënyrë ka vazhduar formën pozitive, duke shënuar fitoren e dytë radhazi në kampionat. Skuadra e drejtuar nga trajneri Arsim Abazi në takimin e sotëm të zhvilluar në qytetin e Ferizajit, e mposhti Malishevën me rezultat 1:0.

Golin vendimtar e shënoi Edon Sadriu në minutën e 39-të, kur mjaft mirë u asistua nga Valmir Nafiu. Ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar në këtë takim, duke i siguruar kështu skuadrës së tij tre pikë të mëdha në garën për vendet e para.

Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në pozitën e katërt në tabelë me 41 pikë, vetëm gjashtë më pak se Malisheva që mban vendin e tretë, pozitë kjo që siguron pjesëmarrje në garat evropiane.

Leave a Reply