Struga Trim Lum fiton derbin në Kratovë, zbret nga piedestali Vardarin! (VIDEO)

Struga Trim Lum morri tre pikë mjaft të mëdha në transfertën e vështirë në Kratovë, aty ku në fund regjistroi fitore 3:1. Bassirou Compaore u rikthye shpejt tek goli, pasi nuk shënoi në mesjavë ndaj Shkëndijës, ndërsa golat e parë të këtij edicioni i shënuan edhe dy futbollistët e talentuar, dy të rinjët, Memetriza Hamza dhe Shaban Zenku.

Që të dy shënuan dy super gola, duke bërë të lumtur edhe trajnerin, pasi tashmë lista e futbollistëve që po shënojnë dhe që dalë nga dalë po gjejnë formën e duhur te Struga Trim Lum, po shtohet gjithnjë e më tepër.

Përveç një periudhe të shkurtër presioni në fillim të pjesës së dytë, qasja e ashpër e Sileksit nuk i shqetësoi në asnjë moment futbollistët e Struga Trim Lum, që si duket që nga fillimi dinin se çfarë kërkonin në fushën e blertë në Kratovë.

Në të vërtetë, Sileksi u tregua edhe me fat, pasi fitorja e skuadrës strugane mund të ishte edhe më e thellë, në rast se traverza nuk do të tregohej aleate e portierit vendas në pjesën e dytë pas goditjes së Bojkut, ku nuk duhet harruar edhe rastet e qindtpërqindta të Compaore dhe Voshës.

Takimi i sotëm, bënë që të besojmë se skuadra strugane po fiton vrull të vërtetë, me ndjenjën se ka ende shumë për të bërë në vijim të kampionatit.

Me fitoren e sotme ndaj Sileksit, për të cilën skuadër golin e vetëm e realizoi boshnjaku, Aldin Hrvanoviç, skuadra e Struga Trim Lum rimer kreun e tabelës së klasifikimit me 19 pikë, duke lënë pas vetes Vardarin.

Sileksi me 15 pikë renditet në pozitën e tretë.

Kujtojmë, sot në Strumicë u zhvillua edhe takimi midis AP Brera dhe KF Arsimit nga Çegrani, që u mbyll me fitoren e vendasve me shifrat 2:1.

Java e 7-të, mbyllet nesër (e martë) me ndeshjen Pelisteri – Bashkimi në Manastir. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply