Struga Trim Lum të martën do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të garave të Kupës. Pasi kjo skuadër ishte e lirë në raundin e parë të garave si finaliste e edicionit të kaluar, nesër në Shkup përballë Makedonija GJ.P do të kërkojnë fitore, përmes së cilës do të siguronin një vend për në ndeshjet çerekfinale.
“Në skuadër mbizotëron një atmosferë shumë e mirë. Neve te Struga Trim Lum funksionojmë si një familje, dhe pikërisht këtu është edhe çelësi i sukseseve tona. Respekte për Makedonija Gj.P, por neve jemi në formë të mirë, jemi të koncentruar mirë edhe për këtë ndeshje, ndaj besojmë se do i’a dalim edhe këtë herë” – tha fillimisht Arbi Vosha, duke besuar në strategjinë e trajnerit Bledi Shkëmbi.
“Besoj se edhe nesër kundër Makedonija GJ.P do të kryejme me përpikshmëri të gjitha kërkesat e trajnerit tonë, Bledi Shkëmbi. Me ardhjen e tij, skuadra po funksionon shumë mirë, ndërsa një gjë të tillë më së miri po e dëshmojnë edhe rezultatet që po i arrijmë. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë kur kemi bërë detyrën tonë në fushën e blertë ashtu siç duhet” – deklaroi Vosha, i cili rikthehet të luaj në një nga stadiumet e tij më të preferuara, aty ku ka zhvilluar më së shumti ndeshje në karrierë.
Pikërisht Makedonija GJ.P ka qenë klubi i tij i parë në futbollin profesionist. Ai është rritur te kjo skuadër për të cilën numëron plotë 113 ndeshje. Megjithatë, Vosha si një profesionist i vërtetë, tashmë kërkon të bëjë më të mirën me fanellën e Struga Trim Lum.
“Me Makedonija Gj.P kam luajtur një kohë të gjatë. Te kjo skuadër kam kaluar momentet më të mira në karrierë, megjithatë neve jemi futbollistë profesionist dhe japim më të mirën me atë fanellë që e mbajmë veshur. Pra, tash si pjesë e Struga Trim Lum do të bëjë maksimumin që nesër në stadiumin tim të preferuar në Gjorçe Petrov të dalim fitues dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë në ndeshjet e Kupës, me shpresë se do të prekim edhe finalen e madhe” – është shprehur Vosha për faqen zyrtare të klubit strugan.

