Gjatë ditës së sotme Federata e Futbollit ka mbajtur Kuvendin e rregullt vjetor, në të cilin fjalim më të gjërësishëm mbajti Presidenti i këtij institucioni, Masar Omeragiç. I njëjti para delegatëve, mysafirëve nga UEFA dhe FIFA, por edhe gjithë të pranishmëve të tjerë në këtë Kuvend, dha një raport mbi punën e bërë gjatë vitit të kaluar, sa ai është në krye të kësaj Federate.
Numri 1 i futbollit në vend nuk e fshehu kënaqësinë e tij me rezultatet e deritanishme të federatës që ai drejton.
“Para një viti nga ky vend i njëjtë folëm për detyrimin që kemi – të vendosim një drejtim, të ndërtojmë një sistem dhe të rivendosim besimin. Sot, nuk po flasim për plane. Po flasim për hapa konkretë dhe rezultate të dukshme. Vitin e kaluar, një nga prioritetet kryesore ishte të investohej aty ku është më e nevojshme. Në bazë.”
“Po përmirësojmë kushtet e punës, po rinovojmë objektet kryesore dhe po investojmë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë më shumë fusha, infrastrukturë më të mirë dhe kushte reale për zhvillimin e futbollit. Në qendrën tonë stërvitore, ku për më shumë se një dekade nuk kishte pasur investime serioze, filluam dhe përfunduam një rinovim dhe modernizim të plotë. Sot, ajo hapësirë ka funksionalitetin që meritojnë ekipet tona përfaqësuese. Në Manastir, në një periudhë rekord të shkurtër kohore, së bashku me komunën, rinovuam stadiumin “Petar Milloshevski” dhe tani ai është një krenari e vërtetë e qytetit dhe një shtëpi e re për ekipin përfaqësues të futbollit.”
“Në Ohër po ndërtohet një tribunë e re, një tribunë që do ta përfundojmë në kohë rekord, dhe jo si disa që merrnin kohë edhe gjashtë vite për t’u ndërtuar. Në Ilinden, Likovë/Sllupçan dhe Dojran, tashmë janë lëshuar në përdorim fushat me barë artificial, hapësira të reja për stërvitje. Në të njëjtën kohë, kemi siguruar edhe blerjen e më shumë se 20,000 karrigeve për stadiumet dhe fushat në të gjithë vendin, me qëllim përmirësimin e kushteve për spektatorët dhe atmosferën e përgjithshme të ndeshjeve në të gjitha kategoritë.”
“Deri në fund të vitit 2026, prioritet do të kemi ndërtimin dhe rikonstruimin e fushave të reja me sisteme moderne kullimi, sistemin për ujitje dhe fusha me bar cilësor në disa stadiume në vend, instalimin e proxhektorëve ndriçues, dhomave të reja të zhveshjes dhe semaforëve në disa stadiume.”
“Ky është një proces që nuk përfundon, ky është një sistem që po e ndërtojmë. Dhe zhvillimi nuk është vetëm në objekte, por edhe në mundësi. Ekipet tona përfaqësuese në kategorinë e të rinjëve, si në konkurrencë të meshkujve, ashtu edhe në konkkurrencë të femrave, kanë luajtur gjithsej 99 ndeshje vetëm vitin e kaluar. Është pra vazhdimësi, është përvojë, është një proces i krijimit të brezave që duhet të mbajnë ekipin përfaqësues nesër. Njëkohësisht neve kemi rritur nivelin e organizimit dhe të sjelljes së rregullave. Inkuadrimi i VAR në kohë rekord dhe trajnimi i arbitrëve nuk janë vetëm hapa teknikë, janë një mesazh se futbolli duhet të jetë i drejtë, i qartë dhe i pastërt.”
“Gjithashtu kemi krijuar kushte edhe për ekipet kombëtare në konkurrencë të seniorëve për të funksionuar në nivele shumë të larta. Organizimi, logjistika dhe komunikimi janë të vendosura në mënyrë të tillë që fokusi të jetë aty ku duhet, në fushë. Gjithashtu po forcojmë marrëdhënien me komunitetin, me partnerët dhe me të gjithë ata që mbështesin futbollin. Kjo pasi futbolli i fortë nuk ndërtohet në mënyrë të izoluar, por së bashku.”
“Gjithashtu investojmë edhe tek të rinjët, në pajisje, në kushte më të mira, me qëllim që të kenë një shans për të ecur para. Futbolli patjetër duhet të jetë i kapshëm për të gjithë, ndërsa talenti duhet të njihet në kohën e duhur. Kjo është arsyeja pse kemi krijuar edhe një sistem për monitorimin e lojtarëve tanë, pavarësisht se ku luajnë.” – u shpreh Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiç.
Përveç anëtarëve dhe delegatëve në Kuvendin e sotëm të rregullt vjetor të FFM-së, morrën pjesë edhe mysafir nga UEFA dhe FIFA, Jozef Kliment dhe Rold Taner.
