Struga Trim Lum rikthehet në aksion në javën e 24-të në elitën e futbollit vendor, duke qenë mysafir i Pelisterit në Manastir. Tradita e tëra flet në anën e skuadrës strugane, kjo pasi ndaj Pelisterit ata nuk njohin asnjë disfatë në ndeshjet në Manastir, përfshirë këtu edhe ato 3 ndeshje në kuadër të Ligës së Dytë.
Ndeshja e fundit e zhvilluar mes këtyre dy skuadrave në qytetin e Alfabetit shqip, u mbyll me barazim 1:1, me Arbi Voshën që shënonte golin e vetëm për Struga Trim Lum.
Në prag të ndeshjes së nesërme nga tabori i skuadrës strugane ka folur mesfushori difenziv, Lassana Diako.
“Ekipi është plotësisht i fokusuar për ndeshjen e nesërme. Çdo lojtar është i përqendruar dhe mirë i përgatitur. Edhe përkundër startit jo të mirë në pranverë, neve si skuadër mund të them se do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit në garën për titullin e kampionit.” – u shpreh Diako.
9 ndeshje me rradhë pa disfatë kundër Pelisterit…
“Numrat dhe tradita nuk kanë asnjë vlerë për mua. Gjithçka varet nga fokusi ynë nesër. Duhet të jemi gati, të vendosur dhe të shkojmë drejt fitores së rradhës, pa u shqetësuar për të kaluarën.”
Eliminimi nga Kupa i Struga Trim Lum…
“Eliminimi nga gara e Kupës, ishte i vështirë për t’u pranuar. Në përgjithësi, ishim më të mirë se kundërshtarët tanë, por ky është futbolli, shpesh ndodh që mos të fitojë skuadra më e mirë. Pas eliminimit nga Kupa, e gjithë energjia jonë tani është e përqendruar në kampionat. Rezultatet e kësaj jave duket se janë në favorin tonë, dhe nëse fitojmë nesër, do të jemi vetëm 5 pikë pas liderit. Po, ende mund të ëndërrojmë për titullin dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi.”
