Shkëndijës i mjaftoi goli i Krasniqit (VIDEO)

Shkëndija ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme në kuadër të javës së 24-të në elitën e futbollit vendor, duke mposhtur 1:0 në transfertë Makedonija Gjorçe Petrovin.

Skuadra “kuqezi” hyri si favorite dhe mori iniciativën që në start, ndonëse vendasit rrezikuan në minutën e 17-të, kur Pecov doli përballë portës, por Gaye reagoi në mënyrë spektakolare. Deri në pushim, Shkëndija dominoi dhe krijoi disa raste me Spahiun, Trumçin dhe Ibrahimin, por rezultati mbeti 0:0.

Në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 53-të erdhi edhe goli vendimtar për Shkëndijën, me autorë Endrit Krasniqi, i cili përfitoi nga një diagonale në thellësi të mbrojtësit Imran Fetai, që po kalon një formë të shkëlqyer me fanellën “kuqezi”, e ku si pasojë së fundmi në adresë të tij erdhi edhe ftesa nga përfaqësuesja e Maqedonisë.

Në vazhdim, Shkëndija administroi mirë lojën dhe ishte më pranë golit të dytë, me raste të mira nga Ndzengue dhe Tamba, por ndeshja u mbyll me rezultat minimal 1:0, kjo ndoshta edhe si pasojë së kushteve që ofronte fusha e blertë, sidomos kjo vlen nëse përmendim rastin e fundit të sulmuesit “kuqezi”, Tamba.

Me fitoren e sotme, Shkëndija e Tetovës barazohet me pikë në renditje me Vardari, që të dyja skuadrat me nga 58 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply