Implementimi i sistemit VAR, ishte prioriteti kryesor i Presidentit të ri të Federatës së Futbollit, Masar Omeragiç, para se i njëjti të vie në krye të këtij institucioni shumë të rëndësishëm sportiv në vend, shkruan “infOSport.mk”.
Që në muajt e tij të parë në krye të FFM-së, sistemi VAR gjeti implementimin, i cili është në funksion e sipër në ndeshjet e Ligës së Parë që nga starti i sezonit 2025/26.
Sipas numrit 1 të futbollit në vend, sistemi VAR, ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në ngritjen e nivelit të arbitrimit, pavarësisht se edhe tani ka ankesa.
Omeragiç në fjalimin e tij lidhur me sistemin VAR, tha se ankesa do të ketë gjithmonë dhe të njëjtat janë pjesë e futbollit, madje edhe në gjithë Botën.
“Arbitrimi sot është në një nivel dukshëm, dukshëm më të lartë. Pa skandale dhe pa gabime të mëdha. Sistemi VAR mund të them se është një mbështetje serioze dhe se sjellë siguri shtesë gjatë vendimeve. Gjithmonë do të ketë ankesa, ato janë pjesë e futbollit, si tek neve ashtu edhe nëpër Botë. Por sot, po flasim për situata individuale, jo për probleme sistematike. Dhe të jemi të sinqertë, më të zhurmshmit janë gjithmonë ata që nuk favorizohen nga rezultatet. Pastaj të gjithë të tjerët janë fajtorë, federata, arbitrët…të gjithë, përveç vetë atyre. Pastaj shkruhen deklarata, krijohet presion dhe kërkohen alibi. Ndërsa kur fitojnë, atëherë heshtin. Mendoj se është koha për të kërkuar përgjegjësi brenda rradhëve të tyre. Futbolli nuk mund të ecë para nëse gjithnjë faji kërkohet diku jashtë dhe asnjëherë brenda shtëpisë” – u shpreh Presidenti i Federatës së Futbollit vendor, Masar Omeragiç.
