Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar një tjetër humbje minimale, këtë herë me rezultatin 1-0 në miqësoren e zhvilluar në Valencia kundër Ukrainës.
Pas eliminimit nga Polonia në ndeshjet e “play-off”, kuqezinjtë u shfaqën sërish në vështirësi, duke u dominuar përgjatë gjithë takimit nga kundërshtari.
Goli që vulosi fatin e sfidës u shënua sapo nisi pjesa e dytë, në minutën e 46-të, nga sulmuesi Hutsuliak. Ky i fundit përfitoi nga një krosim i saktë për të dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë.
Ukraina pati mundësi të shumta për të dyfishuar rezultatin, por u ndal nga ndërhyrjet e Thomas Strakoshës dhe shtylla pingule.
Shqipëria u kundërpërgjigj vetëm në një rast me Qazim Laçin, goditja e të cilit u devijua me vështirësi nga portieri ukrainas.
Kjo ishte shumë pak për atë që tregoi kombëtarja sonte, ndaj në përfundim të kësaj fushate, duhet të bëhet një analizë e thellë për mënyrën sesi përfunduan gjërat dhe të gjendet një përgjigje për pikëpyetjet që ngrihen për të ardhmen e saj.
