Sot në Shtip u zhvillua ndeshja derbi e javës së 28-të në Ligën e Dytë ndërmjet Bregallnicës dhe Shkëndijës së Haraçinës. 1:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin Shkëndija nga Haraçina avansoi e para me golin e Nikolla Sharkoskit, derisa Bregallnica barazoi shifrat, vetëm pas një penaltie të realizuar nga Kasparov.
Pikërisht kjo penalti ka bërë që drejtuesit e skuadrës shkupjane të reagojnë zyrtarisht përmes faqes së tyre zyrtare, duke pretenduar se arbitri kryesor Aleksandar Grujoski, përmes një vendimi të pashpjegueshëm, akordoi një goditje dënimi (penallti) krejtësisht të paqenë, duke dëmtuar drejtpërdrejt ekipin e tyre, por njëkohësisht edhe integritetin e garës.
Më poshtë ju sjellim në mënyrë të plotë reagimin e klubit nga Haraçina:
REAGIM ZYRTAR I KF SHKËNDIJA 77
KF Shkëndija 77 shpreh revoltën e ashpër ndaj ndarjes skandaloze të drejtësisë në ndeshjen e sotme në Shtip. Arbitri Aleksandar Grujoski, përmes një vendimi të pashpjegueshëm, akordoi një goditje dënimi (penallti) krejtësisht të paqenë, duke dëmtuar drejtpërdrejt ekipin tonë dhe integritetin e garës.
Nuk mund të tolerojmë që djersa e futbollistëve dhe investimi i klubit të nëpërkëmben nga vendime arbitrare që nuk kanë asnjë lidhje me rregullat e futbollit. Pamjet filmike janë dëshmia më e mirë e një padrejtësie që tjetërsoi rezultatin në fushë.
Kërkojmë nga organet kompetente të FFM-së që të marrin masa urgjente dhe të analizojnë me seriozitet këtë performancë tendencioze. Shkëndija nuk kërkon favorizim, por kërkon dhe do të insistojë gjithmonë për DREJTËSI në fushë.
Vazhdojmë të bashkuar kundër çdo pengese!
