Përfaqësuesja “A” e Maqedonisë po përgatitet për ndeshjen e parë të play-off-it kundër Danimarkës, e vlefshme për një vend në Kupën e Botës të këtij viti. Sulmuesi Aleksandar Trajkovski, thekson se skuadra duhet t’i qaset ndeshjes sa më seriozisht që të jetë e mundur.
Trajkovski i cili shënoi golin historik kundër Italisë në Palermo katër vjet më parë për t’u kualifikuar për në finalen e Kupës së Botës 2022, beson se energjia e re në ekip mund të sjellë një rezultat pozitiv.
“Me një trajner të ri vjen energji e re dhe një vizion i ri. Mendoj se do të përgatitemi mirë për këtë ndeshje. Dje u bashkova për herë të parë dhe vërtet pashë një atmosferë të shkëlqyer dhe një stërvitje cilësore. Nëse vazhdojmë kështu, do të jemi të përgatitur maksimalisht”, – tha Trajkovski.
Ai theksoi se fokusi dhe përqendrimi do të jenë çelësi kundër një kundërshtari të fortë.
“Danimarka mund të jetë favorite në letër, por ne kemi treguar se mund të luajmë kundër secilit. Unë besoj në këtë ekip. Deklaratat nga ana e tyre vetëm sa mund të na motivojnë më tej”, – shtoi sulmuesi.
Trajkovski nuk e fsheh se kjo ndeshje ka një domethënie të veçantë për të.
“Sinqerisht, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme në karrierën time në ekipin kombëtar. Nuk ka ndjenjë më të mirë se të fitosh në momente si këto dhe mundësinë për të luftuar për një vend në Kupën e Botës. Shpresoj që të mund ta përsërisim suksesin e Palermos.” – deklaroi Trajkovski, sipas të cilit në duele të këtilla, roli i favoritit nuk luan një rol vendimtar.
“Ky është futboll, luhet një ndeshje dhe çdo gjë është e mundur. Do ta analizojmë Danimarkën, do të kërkojmë dobësitë e tyre dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë ato. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë rezultatin e dëshiruar”, – përfundoi Trajkovski.
