Kukeli ndryshon skuadër, largohet nga Cyrihu

Burim Kukeli mund të ndryshojë skuadër, mirëpo jo edhe kampionat. Futbollisti shqiptarë nga Kosova, me shumë gjasa në sezonin e ri futbollistik nuk do të jetë pjesë e Cyrihut, te e cila skuadër është që nga viti 2012-të.

Për shërbimet e reprezentuesit shqiptarë interesim ka shfaqur Lugano, aty ku për momentin luajnë edhe dy futbollistët shqiptarë, Armando Sadiku dhe Ezgjan Alioski.

Dhe ashtu si rrjedhin gjërat,  shumë shpejt, do të jetë një futbollist i tretë shqiptarë që do t’i bashkohet skuadrës e cila në këtë edicion do të marrë pjesë në fazën në grupe të Liga Europa.

Sipas mediave zvicerane, Burim Kukeli nuk bënë më pjesë në planet e Cyrihut për sezonin e ri, ndaj te klubi i tij aktual po mendojnë mundësitë për të ndërprerë marrëveshjen me titullarin e mesfushës së Shqipërisë.

Në anën tjetër Lugano është në kërkim të futbollistëve me eksperiencë për pjesëmarrjen në Europë, ndaj emri i Kukelit shihet si një përforcim adekuat për garat e Liga Europa.

Marrdhëniet mes dy klubeve janë shumë të mira, pasi kanë shkëmbyer vazhdimisht futbollistë në vitet e fundit, ashtu që si rrjedhojë kanë filluar kontaktet mes palëve për të mundësuar këtë transferim që do të ishte i vlefshëm si për dy klubet, ashtu edhe për vetë futbollistin 33-vjeçar i cili gjatë karrierës së tij, përveç Cyrihut, ka veshur edhe fanellën e Lucernit.

Leave a Reply