ZYRTARE,  Naxhi Shensoj ndahet me Pelisterin

Pelisteri prej sot edhe zyrtarisht ka mbetur pa trajner. Strategu nga Prizreni me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë kontratën me skuadrën nga Manastiri, që tashmë duhet të kërkoj një trajner të ri për sezonin e ri futbollistik në Maqedoni.

Lajmin e konfirmuan edhe nga klubi i Pelisterit, drejtuesit e së cilës skuadër falenderuan strategun nga Prizreni, Naxhi Shensoi, për punën që bëri gjatë periudhës që ishte në krye të skuadrës së tyre.

“E falenderojmë Shensoin që ishte pjesë e klubit tonë, që pas 16 viteve ktheu trofeun e Kupës në vitrinat e klubit” – u shprehën nga klubi i Pelisterit.

Nën drejtimin e Shensoit, Pelisteri pas plotë 9 viteve u rikthye në arenën ndërkombëtare, mirëpo u eliminuan që në start nga skuadra polake e Leh Poznan. Shensoi drejtimin e Pelisterit e morri sezonin e kaluar, pas 10 xhirove të kaluara. Ai në bankinën e të “gjelbërve” zëvendësoi Naum Ljamçevskin, ndërsa në fund të kampionatit atë që kishte premtuar edhe e realizoi, me Pelisterin arriti që të fitoj Kupën e Maqedonisë dhe të renditet në pozitën e katërt.

Leave a Reply