Kosova pësoi disfatë minimale nga Kroacia (VIDEO)

Kosova ka pësuar humbje minimale 1:0 në ndeshjen e javës së 7-të në grupin “I” ndaj Kroacisë. Ishte shiu që ndërpreu mbrëmë këtë përballje, ndërkohë që sot u luajt pjesa e mbetur e ndeshjes, rreth 70 minuta.

Skuadra e drejtuar nga Albert Bunjaki bëri një paraqitje të mirë dhe 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin e fillimit 0-0.

Përfaqësuesja e Kosovës mund edhe të shënonte në pjesën e dytë me Valon Berishën, që humbi një shans të mirë për të realizuar, kur goditi vetëm mbi portë.

Në anën tjetër Kroacia në minutën e 74-të gjeti golin e avantazhit. Një krosim perfekt i Luka Modriç në zonë gjeti të lirë mbrojtësin Vida, i cili me kokë e devijoi lehtësisht topin në rrjetën e Ujkanit për rezultat, 1:0.

16 minutat e fundit të takimit nuk sollën ndryshim të rezultatit, me Kosovën që mbetet në vendin e fundit me vetëm një pikë të grumbulluar në shtatë ndeshje.

Leave a Reply