“US Open”, Venus Uiliams kualifikohet në gjysmëfinale

Venus Uilliams është kualifikuar për në gjysmëfinalet e turneut të fundit “Grand Slam” të vitit, “US Open”, pasi në çerekfinale mundi çeken, Petra Kvitova me rezultatin 2-1, në sete, 6-3, 3-6 dhe 7-6.

Tenistja amerikane  e cila kërkon të kthehet te fitorja e një titulli “Grand Slam” që nga viti 2008, do të ketë përballë në gjysmëfinale bashkëkombësen e saj, Sloan Stephens, e cila në çerekfinale mundi Anastasija Sevastovën, në 3 sete.

Stephens fitoi setin e parë 6-3 dhe u duk se po e dominonte ndeshjen. Por letonezja iu kundërpërgjigj duke fituar setin e dytë po 6-3. Fituesja në setin final u përcaktua nga “tie break”-u, të cilin Stephens e fitoi 7-6 dhe krejt ndeshjen 2-1.

Në kampin e meshkujve, gjysmëfinalistët e parë janë spanjolli Pabo Carreno Busta dhe afrikano-jugori Kevin Anderson. Carreno Busta u kualifikua mes 4 më të mirëve të turneut, pasi mundi argjentinasin Diego Schëartzman 3-0, me sete 6-4, 6-4 dhe 6-2, duke arritur për herë të parë në karrierë në gjysmëfinalen e një turneu “Grand Slam”.

Ndërsa Kevin Anderson u kualifikua në gjysmëfinale pasi mposhti amerikanin Sam Querrey 3-1, me sete 7-6, 6-7, 6-3 dhe 7-6. Edhe për Anderson, kjo është hera e parë që luan një ndeshje gjysmëfinale në një turne “Grand Slam”, siç është “US Open”.

Leave a Reply