Skënderbeu vetëm barazim ndaj Jang Bojs (VIDEO)

Skënderbeu ka barazuar në ndeshjen e dytë të grupit “B” kundër zviceranëve të Jang Bojs, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” në kushte me shi, u mbyll me barazimin 1:1, me të dy golat e shënuar në pjesën e dytë. Ishin futbollistët e Skënderbeut ata që shënuan të parët në këtë përballje me anë të sulmuesit Ali Soue.

Sulmuesi nga Gambia mjaft mirë u shërbye nga ana e Gjergji Muzakës në minutën e 65-të, ndërsa pasi përfitoi hapësirën e duhur ndaj kundërshtarit të tij mbrojtës, me një goditje precize nga brendia e zonës shënoi për 1:0.

Megjithatë ky gëzim i korçarëve nuk zgjati shumë, pasi vetëm 7 minuta më vonë mysafirët nga Zvicra arritën që të barazojnë shifrat në 1:1. Ishte një aksion i shpejtë i futbollistëve të Jang Bojs, të cilët përfituan nga vendosja jo e mirë e mbrojtësve të Skënderbeut dhe me anë të Asale barazuan shifrat në 1:1.

Në fund pikërisht ky rezultat doli të jetë edhe vendimtarë në këtë përballje, që sheh Skënderbeun sërish në pozitën e fundit të grupit me  vetëm një pikë, po aq sa ka edhe Partizani i Beogradit, që sonte pësoi në teren vendas nga Dinamo Kievi me rezultatin 3:2.

Leave a Reply