Dy arkitektët e suksesit të Shkëndijës

Shkëndija pa dyshim se ka një ndër startet më të mira në historikun e saj në ndeshjet e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, shkruan “infOSport.mk”. Skuadra tetovare në 9 javët e para të kampionatit vendor ka regjistruar 8 fitore dhe vetëm një barazim, edhe atë kundër Pobedës në Tetovë në kuadër të javës së 5-të, kur barazuan 3:3. Për këto suksese meritë ka i gjithë ekipi pa dyshim, mirëpo në veçanti është dyshja Hasani – Osmani.

Me ardhjen e Osmanit në krye të Shkëndijës, kjo skuadër po frymon më ndryshe. Cilësitë e tij të larta prej trajneri, Osmani i dëshmoi edhe në ndeshjet eliminatore të Liga Evropa, kur me Shkëndijën arriti deri në fazën “play-off”, kur u eliminua nga gjigandët italian të Milanit, teksa në kampionat po e udhëheq skuadrën me shumë stil. 8 fitoret e arritura dhe 28 golat e shënuar në ndeshjet e deritanishme, flasin shumë, ndërsa mbi të gjitha këto statistika të arritura gjatë raundit të parë të garave në elitën e futbollit vendor, nga gjithsej 4 raundet me nga 9 ndeshje, janë statistika që po të gërmosh në arkivat “kuq e zi”, vështirë t’i kenë ndodhur më parë Shkëndijës, skuadër që si duket kësaj rradhe është e vendosur për të kthyer titullin në Tetovë.

E si mos të jetë kështu, kur në skuadër ke një lider si Ferhan Hasani, i cili vazhdimisht ka edhe ndihmën e Besart Ibraimit, Armend Alimit dhe tashmë së fundit edhe të Izair Eminit.

Gjithë këto emra bashkë janë shndërruar në “xhelatë” të mbrojtjeve kundërshtare, që nuk mund të gjejnë një kundërpërgjigje ndaj tyre.

Hasani është goleadori kryesor me 7 gola të shënuar, i ndjekur nga Ibraimi me 5 dhe Alimi e Emini që kanë nga 4 gola të shënuar. Gjithë këto së bashku kanë të shënuar 20, nga gjithsej 28 golat e skuadrës “kuq e zi”, dhe lirisht mund të mburren me faktin se kanë të shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.

Nëse vazhdojnë me këtë ritëm edhe në vazhdim të kampionatit, atëherë vaj halli për mbrojtësit e skuadrave kundërshtare….!!!

Leave a Reply