Opinion: Flamurtari më pati bërë krenar, le të më bëj edhe Skënderbeu

Opinion nga gazetari i sportit të gazetës LAJM, Reshat Ibrahimi. 

Ishte data e 30 shtatorit e vitit 1987. Në këtë muaj pata shkuar në shërbim ushtarak të Jugosllavisë, në qytetin Valevo të Serbisë. Më kujtohet ishte një mbrëmje e freskët shtatori, dhe terri sa kishte filluar të bie. E pritja me padurim ndeshjen mes Partizanit të Beogradit dhe Flamurtarit të Vlorës. Dolëm në oborrin e madh të kazermës dhe dëgjoja radio komentatorin. Në atë kohë isha tifoz i Partizanit, për shkak të Fadil Vokrrit, por në ndeshjen me Flamurtarin dëshiroja që klubi shqiptar të kaloj tutje në Kupën UEFA.  E dëgjoja rrjedhën e ndeshjes sa që nuk shkova as të darkojë. Partizani me golat e Stefanoviq dhe Fadil Vokrrit në një moment anuloi (minuta e 60-të) epërsinë e Flamurtarit nga ndeshja e parë në Vlorë (2:0). Sa vinte fundi i ndeshjes mua më humbiste shpresa, sepse Partizani dominonte dhe ishte në kërkim të golit të tretë.  Unë rrija në këmbë dhe po dëgjoja komentatorin serb, duke thënë: ja rasti për gjuajtje…. dhe 2:1 në minutën e 76-të.

Gjuajtje e fuqishme nga rreth 16 metra e Sokol Kushtës, gjuajtja e parë në portën e Partizanit dhe 2:1. Ky gol shtangu komentatorin serb dhe heshtje në stadiumin e ashtuquajtur Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), ndërsa unë gëzohesha në vetvete.  Më vonë e pash golin në televizor. Goli ishte i bukur, gjuajtja e Kushtës i hoqi merimangat në trekëndëshin e portës së portierit boshnjak, Fahrudin Omeroviq. Dëshira ime ishte të shënoj gol Vokrri dhe të kualifikohet Flamurtari. Dhe, fatmirësisht kjo ndodhi. U gëzova shumë, ishte një gëzim patriotik, sepse serbët nuk na vlerësonin si shqiptarë. Dhe, ky gol i Kushtës më bëri krenar jo vetëm mua, por të gjithë shqiptarët që ishim përreth. Tash pas tri dekadash sërish do të kemi një përballje mes një skuadre serbe dhe shqiptare. Serbët vazhdojnë të mos na besojnë.

Lexova se ata në Tiranë kanë marrë kuzhinier me vete, kurse mediat serbe tensionojnë situatën pa nevojë. Ata vazhdojnë të kujtojnë edhe sot e kësaj dite eliminimin nga Flamurtari i Vlorës, një humbje që iu ka djegur shumë. Në dekadat e ardhshme le ta kujtojnë edhe Skënderbeun, emrin e madh të heroit tonë kombëtar. Kësaj radhe Skënderbeu ka rastin historik që të na nderoj të gjithë shqiptarët kudo që janë me një fitore ndaj Partizanit për të treguar vlerat e tij sportive dhe të emrit që mbanë. Klubi i futbollit Skënderbeu për momentin është simbol kombëtar apo krenaria e gjithë kombit shqiptar.

Leave a Reply