Kasano: Të kisha një tjetër kokë, do isha si Messi dhe do luaja në planetin Mars

Edhe pse gjatë karrierës së tij ka luajtur me skuadra të mëdha, si Milan, Inter, Roma dhe Real Madrid, sulmuesi italian Antonio Kasano asnjëherë nuk ka arritur që të tregojë potencialin e tij të vërtetë.

Ai në një intervistë të dhënë së fundmi për “Rai Sport” ka pranuar se është një njeri problematik dhe se pikërisht karakteri i tij ka ndikuar edhe negativisht në karrierën e tij, pasi nëse do mendonte më ndryshe me kokën e tij, ai me siguri se do të luante bashkë me Messin dhe Nejmar.

“Unë jam një njeri problematik, pasi kurrë nuk i dihet se me çfarë humori zgjohem. Mund të kisha luajtur në një planet tjetër, por kisha problemin që nuk më pëlqente të stërvitesha dhe doja të haja atë që pëlqeja dhe të shkatërroja veten. Kam luajtur te klubet më të mëdha të botës, si Real Madrid, Inter dhe Milan. Nëse do të kisha një tjetër kokë, do të kisha luajtur në Mars. Do të isha si Messi, Nejmar dhe disa të tjerë”, ka thënë Kasano në një prononcim për “Rai Sport”.

Ndryshe karrierën e tij profesioniste Antonio Kasano e kishte nisur te Bari që në moshën e tij 17-vjeçare, që më pas të transferohet te Roma, ndërsa përveç skuadrave të lartëpërmendura sulmuesi italian gjatë karrierës së tij ka veshur edhe fanellat e skuadrave si Parma, Sampdoria dhe Verona.

Te kjo e fundit u prezantua gjatë merkatos së kësaj vere, mirëpo nuk luajti asnjë ndeshje pasi vendosi që të varë “këpucët në gozhdë”.

Leave a Reply