Daja: Do luajmë gjithçka për gjithçka ndaj Dinamo Kievit!

Trajneri i Skenderbeut, Ilir Daja ndaj Dinamos së Kievit do të nxjerrë në fushë një formacion më ofansiv për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit në Liga Evropa. Trajneri i korçarëve konfirmoi në konferencën për shtyp se bardhekuqtë do të luajnë vetëm për fitore ndaj gjigandëve ukrainas, edhe pse shtoi gjithashtu se skuadra e tij duhet të tregohet shumë e kujdesshme në prapavijë.

“Do luajmë gjithçka për gjithçka sepse janë dy ndeshjet e fundit dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk na shërben. Por duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse do të kemi përballë skuadrën që kryeson grupin, dhe që ka fituar dy transfertat që ka luajtur në Bernë dhe Beograd ndaj Young Boys dhe Partizanit. Do të luajmë për fitore, por do të jemi të balancuar në fushë. Duhet të bëjmë një paraqitje si ajo e pjesës së parë ndaj Dinamos së Kievit në Ukrainë. Do të sulmojmë por në të njëjtën kohë do të jemi të kujdesshëm edhe në mbrojtje sepse nëse pësojmë gol të parët më pas do të jetë shumë e vështirë përmbysja e rezultatit”, tha mes tjerash Daja në konferencën për shtyp.

Takimi Skenderbeu-Dinamo Kievi do të luhet sonte në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 21:05, ndërsa do të mungojnë tifozët shqiptarë të cilët janë të dënuar nga UEFA.

Leave a Reply