Maliq Beluli përfundon aventurën te Vllaznia e Pozheranit

Maliq Beluli edhe zyrtarisht është një futbollist i lirë, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti nga Gostivari 6 muajt e fundit i kaloi në Superligën kosovare te skuadra e Vllaznisë së Pozheranit. Edhe përkundër ambicieve të larta në fillim të kësaj skuadre, ndryshimet e shumta të bëra në kryesinë e klubit bënë që kjo skuadër të mos i realizojë pritshmëritë para fillimit të kampionatit.

Ata pjesën e parë të sezonit 2017/2018 në elitën e futbollit kosovar e mbyllën në pozitën e fundit me vetëm 8 pikë, ndërsa kjo bëri që drejtuesit e rinj të ju lejojnë futbollistëve për të marrë dokumentacionin dhe të kërkojnë mjedis të ri. Kësisoj Maliqi tashmë është në pritje të ofertave të reja, ndërsa bazuar në cilësitë e tij të larta ish klubi i tij Ferizaji, është i pari që ka zgjuar interesim për të rikthyer në skuadër sulmuesin 23 vjeçar, i cili pjesë e kësaj skuadre ishte 6 muajt e parë të vitit 2017-të, kur në 13 ndeshje kishte realizuar 4 gola.

Vlen të theksohet se tre xhiro ai bënte pjesë në formacionin e javës në Vala Superligë, ndërsa një xhiro u zgjodh edhe si futbollisti më i mirë i javës. Gjithashtu dy nga golat e tij të shënuar me fanellën e Ferizajit u përzgjodhën në TOP10 golat më të bukur të vitit 2017-të në futbollin kosovar.

 

Leave a Reply