Shkupjani Sedat Berisha flet si “shkodran”

Sedat Berisha sot edhe zyrtarisht vendosi që karrierën ta vazhdojë në Superligën shqiptare te skuadra e Vllaznisë. Ai menjëherë pasi firmosi kontratë një vjeçare me skuadrën shkodrane, dha edhe deklaratën e parë për faqen zyrtare të klubit, duke pohuar se renditja momentale në Superligë nuk është reale dhe se Vllaznia nuk e meriton atë pozitë.

“E kam pritur me shumë kënaqësi ofertën për të ardhur në Shqipëri tek Vllaznia, kjo skuadër me shumë emër dhe padyshim që do të përpiqem të jap më të mirën time. Vendi që ajo ka sot në renditje nuk i shkon për shtat dhe bashkë me të gjithë shokët e ekipit, do të bëjmë çmos që ajo të ngjitet në vendin që i takon” – u shpreh Berisha.

Mbrojtësi shkupjan ka pasur një karrierë të pasur futbollistike, ndërsa kjo do të jetë hera e tretë që do të luaj jashtë Maqedonisë, pas aventurave të tij në Turqi te skuadra e Bursaspor dhe në Kuvajt te skuadra e Al-Jahra FC.

Ndërkohë sa i përket karrierës së tij në futbollin vendor, Berisha përveç FC Shkupit kishte veshur edhe fanellat e skuadrave si Shkëndija, Milano dhe Metalurg. Berisha që nesër do të bëjë edhe stërvitjen e parë me fanellën e Vllaznisë, ku do të vihet nën urdhërat e trajnerit Ernest Gjoka.

Leave a Reply