Nuhiu flet për fazën e përgatitjeve të Renovës

Renova aktualisht në Tetovë po zhvillon fazën e parë të përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa në një intervistë për “infOSport.mk”, kapiteni i “gjipspunuesve”, Fisnik Nuhiu foli për rrjedhojën e tyre.

Ai tha se skuadra po bënë nga dy seanca stërvitore në fushën me barë artificial në Tetovë, me qëllim që sa më të përgatitur të presin edhe fazën kryesore që do ta zhvillojnë në Ohër, kur edhe do të pasojnë disa ndeshje miqësore.

“Po punojmë nga dy stërvitje në ditë dhe vërtetë po punohet shumë dhe maksimalisht nga të gjithë futbollistët. Është e vështirë, por patjetër të punojmë kështu, sepse na pret një kampionat i vështirë. Po kompletohemi ngadalë, presim që të na bashkohen edhe dy brazilianët, ndërsa besojmë se deri para nisjes për në Ohër, drejtuesit tanë do të bëjnë edhe ndonjë goditje tjetër në merkato” – tha enkas për “infOSport.mk”, Fisnik Nuhiu.

Gjatë ditës së sotme futbollistët e Renovës u lanë të lirë nga ana e trajnerit Vlatko Kostov, për të vijuar nesër me rrjedhojën e përgatitjeve, ku pritet që skuadrës ti bashkohet edhe braziliani, Lukas, si dhe përforcimi i paralajmëruar nga rradhët e Pelisterit, Fernando Silva. Skuadra e Renovs me stërvitjet në Tetovë do të vazhdojë deri më 22 janar, ndërsa nga data 23 janar e tërë ekspedita e “gjipspunuesve” do të transferohet në Ohër, kur do të zhvillojnë edhe fazën kryesore të përgatitjeve para startit të sezonit. Në Ohër trajneri Vlatko Kostov ka caktuar edhe 4 ndeshje kontrolluese.

Leave a Reply