Futsal Shkupi ndaj Astibos kërkon të nis me këmbë të mbarë stinorin pranveror

Futsal Shkupi me ndeshjen ndaj Astibos në Shkup do të startojë stinorin pranveror në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”. Është kjo ndeshja e dytë brenda një javë që do të zhvillojnë këto dy skuadra, duke pasur parasysh se u takuan edhe në kuadër të 1/8 së finales.

Në atë ndeshje Futsal Shkupi shënoi fitore 1:5 në transfertën në Shtip, ndërsa rikujtojmë se edhe ndeshja e parë kampionale mes këtyre dy skuadrave ishte mbyllur me fitore të thellë të “bardhekaltërve” nga Çairi, kur në Shtip kishin shënuar fitore me rezultatin e thellë 0:5.

Bazuar në rezultatet e dy ndeshjeve të para mes këtyre dy skuadrave, Futsal Shkupi shihet si favorit absolut edhe në ndeshjen e nesërme që do të zhvillohet në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava të Shkupit.

Këtë ndeshje e cila starton në ora 15:00 do ta drejtojë dyshja e arbitrave nga Prilepi, Goran Spirkoski dhe  Zharko Dimeski.

Rikujtojmë në ndeshjen e parë të javës së 13-të Velesi me rezultatin 8:4 mundi Juventus Seravën, ndërkohë Zhelezareci si vendas triumfoi 8:5 ndaj SEEU.

Leave a Reply