Hendbolli duhet masovizuar nëpër shkolla

Të dielën u mbyll kampionati i 13-të europian i hendbollit për meshkuj, ku kampione doli Spanja, ndërsa Maqedoni u ndal në pozitën e 11-të. Bazuar në potencialin momental, ky rezultat i Maqedonisë është i realtë, pasi që më parë caku ishte kalimi i fazës së parë. Gjithsesi duke lënë anash dëshirën për rezultat më të mirë, hendbolli vazhdon të konfirmohet si sporti numër një në Maqedoni, si veprimtari e rrallë ekipore në të cilën përfaqësueset e vendit kanë kontuinitet të pjesëmarrjeve në Kampionatet Europiane dhe Botërore.

“Të gjithë ne kemi pasur dëshirë që Maqedonia të arrijë në finale. Mirëpo realisht duke i parë rezultatet, ata tejkaluan veten, pasi ata arritën atë që munden. Kualifikimi në raundin e dytë është  një sukses, jo vetëm për Maqedoninë por për çdo përfaqësuese”, deklaroi gazetar i ‘Art Channel’, Shaban Sinani, në emisionin ‘Sportmania’ në TV SHENJA.

Me gjithë sukseset e vazhdueshme brengosës është mungesa e përfshirjes së shqiptarëve në këtë sport, që përmes Klubit të Hendbollit Rinia nga Shkupi disi mbahet gjallë hendbolli në pjesën e shqiptarëve në Maqedoni. Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe për tu bërë sa më masiv që në moshën më të re duhet punë e programuar në procesin arsimor, si dhe futja e sponsorëve që do të finansojnë zhvillimin e këtij sporti.

“Në Maqedoni sporti numër një është henbolli. Parashtrohet pyetja pse nuk ka shqiptarë në përfaqësuese. Nuk është poenta pse ne nuk kemi qenë të mirë për të qenë atje, po thjesht ne mundësitë i kemi pasur ato. Ne deri tani 25 vite që ekziston klubi jonë, ne asnjëherë nuk kemi marrë pjesë në Superligë, edhe pse i kemi plotësuar kushtet, mirëpo mundësitë financiare kanë qenë pengesë”, tha hendbollisti i KH Rinia, Basri Latifi.

Leave a Reply