Lakazet, 6 javë jashtë fushave të futbollit

Për më shumë se një muaj, sulmuesi i Arsenalit Alexandre Lacazette, do të mund ta ndjekë skuadrën e topçinjve vetëm nga shkallët e stadiumit. Si pasojë e një dëmtimi në gju, 26-vjeçari do t’i nënshtrohet një operacioni që do ta mbajë për 6 javë larg organikës së Arsene Ëenger.

Kjo do të thotë se francezi, i cili u ble në merkaton verore nga londinezët për 55 milionë euro, do të humbasë finalen e Kupës së Ligës në Angli, që do të luhet kundër Manchester City-t më 25 shkurt.

Lacazette nuk do të jetë i pranishëm as në takimin e po këtyre dy skuadrave, në Premier League që do të zhvillohet në fillim të muajit Mars dhe gjithashtu nuk do të mund të japë kontributin e tij për Arsenalin në ndeshjet e Europa League kundër Ostersunds FK.

Sulmuesi u vendos në qendër të kritikave nga tifozët e skuadrës së topçinjve, pas rastit fantastik që humbi, për të barazuar në përballjen me Tottenhamin, ku u mundën me rezultatin 1-0. Nuk dihet nëse Arsene Ëenger do ta ndjejë mungesën e 26-vjeçarit, duke marrë parasysh dy përforcimet e reja të trajnerit francez, Henrikh Mkhitaryan dhe Pierre-Emerick Aubameyang.

Leave a Reply