Jakupi: Ftesa të luaj për Kombëtaren “kuq e zi” ëndërra ime e fëmijërisë

Gjatë ditës së sotme në duart e portierit të Futsal Shkupit, Berat Jakupit ka arritur edhe ftesa zyrtare nga ana e Federatës shqiptare të Futbollit, që gardiani shkupjan të mbroj ngjyrat e Kombëtares së Futsalit të Shqipërisë, njofton “infOSport.mk”. Në një bisedë me portalin tonë, Jakupi tha se me këtë i është plotësuar ëndërra e fëmijërisë, ndërsa është krenar që do të mbrojë ngjyrat e zemrës, ngjyrat e flamurit kombëtarë.

“Vërtetë jam shumë i lumtur. Mund të them se më është plotësuar ëndërra e fëmijërisë sime. Çdo shqiptarë, çdo shkupjan dëshiron që të kontribuojë për Kombëtaren shqiptare, ndërsa tashmë kur më është dhënë rasti do jap më të mirën nga vetja, që t’ua shpërblejë besimin e dhënë” – tha Berat Jakupi në prononcimin e tij për “infOSport.mk”.

Është kjo hera e parë që Jakupi do të mbrojë ngjyrat “kuq e zi”, ndërsa një gjë të tillë do të bëjë në kuadër të turneut që mban emrin e heroit tonë kombëtarë, “Adem Jashari” dhe që i njëjti nga data 2 deri me 5 mars do të mbahet në Prishtinë. Përveç Jakupit “infOSport.mk” mëson se trajneri Erind Resuli për turneun në fjalë do të ftojë edhe lojtarin e Juventus Seravës, Eljesa Neziri, ndërsa përveç Shqipërisë dhe nikoqirëve të Kosovës, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë dhe ajo e Maltës.

Leave a Reply