Jashanica me doping, reagon Skënderbeu: Ishte me alergji, njoftuam UEFA-n

Klubi i Skënderbeut ka reaguar me anë të një deklarate për mediat në lidhje me proçedimin disiplinor ndaj Bajram Jashanica, i cili ka rezultuar pozitiv në një test antidopingu të kryer gjatë ndeshjes së shtatorit të vitit të kaluar, kundër Jang Bojs.

Në deklaratë thuhet se lojtari është diagnostikuar me simptoma të alergjisë akute, e cila kishte nevoje për një trajtim të menjëhershëm dhe efektiv.

“Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, stafi mjekësor kërkoi lëshimin e një autorizimi të përdorimit të substancës prednisolone nga Komisioni i Anti-Dopingut të UEFA-s e njohur edhe si Autorizimi TUE, pasi kjo substancë ishte administruar në kushtet e urgjencës dhe në mirëbesim të plotë nga ana e lojtarit. Pavarësisht kërkesës se arsyetuar nga ana e Klubit tonë, organi administrativ i UEFA-s refuzoi lëshimin e autorizimit dhe si pasoje, ka çelur procedure disiplinore”.

Deklarata e plotë

“Përmes kësaj deklarate për shtyp, Klubi i Futbollit Skënderbeu informon sportdashësit dhe median në lidhje me proçedimin disiplinor ndaj lojtarit tonë, Z. Bajram Jashanica për kundravajtjen e “përdorimit të substancave dopuese”.

Me datë 29 Shtator 2017, Bajram Jashanica është diagnostikuar me simptoma të alergjisë akute, e cila kishte nevoje për një trajtim të menjëhershem dhe efektiv. Në përpjesëtim me kushtet klinike të lojtarit, atij i është administruar substanca e Prednisolut, medikament i përdorur gjerësisht në trajtimin e alergjive, prej me shumë se 50 vitesh.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, stafi mjekësor kërkoi lëshimin e një autorizimi të përdorimit të substancës prednisolone nga Komisioni i Anti-Dopingut të UEFA-s e njohur edhe si Autorizimi TUE, pasi kjo substancë ishte administruar në kushtet e urgjencës dhe në mirëbesim të plotë nga ana e lojtarit. Pavarësisht kërkesës se arsyetuar nga ana e Klubit tonë, organi administrativ i UEFA-s refuzoi lëshimin e autorizimit dhe si pasoje, ka çelur procedure disiplinore.

Bëjmë me dije se substanca në fjalë është vetëm e ndaluar si rrjedhojë e metodës së administrimit të saj (injeksion), pasi preparate të ngjashme të administrueshme në rrugë orale (pilula) nuk konsiderohen si forma dopingu dhe veçanerisht, jane të klasifikuara në kategoritë me të ulta të dopingut, për nga rrezikshmëria dhe efektet e tyre.

Klubi i Futbollit Skënderbeu është i bindur në pafajësinë e plotë të Z. Jashanica dhe do të përdorë çdo resurs të mundshëm në mbrojtjen e integritetit dhe karrieres se tij”. (Top Channel)

Leave a Reply