Lidhej me një transferim te Shkëndija, por me shumë gjasa i njëjti do përfundojë te FC Shkupi!

Edhe pse ende nuk ka filluar zyrtarisht merkatoja në futbollin vendor, shumë skuadra kanë bërë lëvizjet e para, duke menduar që tani për stinorin pranveror. Edhe pse ka zëra për lëvizje te skuadra kampione në fuqi e FC Shkupit, habit fakti se nga tabori i skuadrës nga Çairi janë shumë të heshtur në këtë periudhë, duke mos konfirmuar asnjë lëvizje.

Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, thonë se mbrojtësi Darko Ilieski veçmë ka nënshkruar me skuadrën e FC Shkupit, drejtuesit e së cilës tashmë kanë hyrë në bisedime serioze edhe me kolumbianin, Sebastian Herera, i cili është një agjent i lirë pas largimit nga Bregallnica.

Kolumbiani 27-vjeçar ishte në bisedime e sipër me drejtuesit e Shkëndijës tashmë disa ditë, mirëpo si duket palët nuk janë dakorduar, ndërsa rastin pritet ta shfrytëzojë FC Shkupi dhe të bëjë për vete këtë futbollistë që luan në krahun e majtë të mbrojtjes.

Pas largimit të Besir Demirit, është evident fakti se FC Shkupi po kërkonte një futbollistë të krahut të majtë, për të rritur konkurrencën, pasi gjatë stinorit vjeshtorë nuk është se bindi edhe aq shumë strugani, Blerton Sheji, i cili u aktivizua në 13 ndeshje, 5 prej tyre si titullarë.

Me aktivizimin e Hereras, konkurrenca mund të bëjë mirë te skuadra nga Çairi, pasi me kolumbianin në skuadër, krahu i majtë do të përfitonte në cilësi. Kujtojmë Herera për 5 vite të plota luajti te Rabotniçki, nga e cila skuadër verën e vitit 2020 u transferua në Hungari te skuadra e MTK Budapest, ndërsa verën e vitit të kaluar si transfer i lirë iu bashkua Bregallnicës, për të cilën skuadër gjatë stinorit vjeshtorë luajti në 11 ndeshje (10 titullarë), duke realizuar edhe 1 gol. (infOSport.mk)

Leave a Reply