Vëllaznimi ndali Dritën në Gjilan, Liria mundi Feronikelin

Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 21-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e Lirisë në teren vendas në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren mundi Feronikelin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për prizrenasit e shënoi Mevlan Zeka, në minutën e 54-të, ndërkohë në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Gjilan, Drita dhe Vëllaznimi u ndanë me barazimin 1:1.

Të parët në epërsi në këtë ndeshje kaluan vendasit me golin e shënuar nga Kastriot Rexha, në minutën e 65-të, teksa golin e barazimit për gjakovarët e realizoi Lekë Vula 5 minuta para fundit të takimit.

Vlen të ceket se mysafirët nga Gjakova nga minuta e 77-të luajtën me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Ilir Sylës me të kuq (dy kartonë të verdhë).

Drita edhe përkundër këtij barazimi mbetet lider në renditje, tashmë me 37 pikë, një më shumë se Prishtina e vendit të dytë, që ndeshjen e saj të javës së 21-të si nikoqir do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme kundër Trepça ’89, teksa Liria pas tre pikëve të marra në ndeshjen ndaj Feronikelit, tashmë renditet në pozitën e katërt me 34 pikë, po aq sa ka edhe Llapi në pozitën e tretë, mirëpo këta të fundit ndeshjen e tyre të kësaj xhiroje e zhvillojnë gjithashtu nesër në transfertë kundër Flamurtarit.

Leave a Reply