Ballazhi: Të mundim Novacin për tifozët tanë

Vëllazërimi i Kërçovës në aspektin organizativ pa dyshim se është një ndër skuadrat më të mira në Ligën e Dytë, ndërsa gjithashtu kjo skuadër po e dëshmon veten edhe në fushën e blertë, aty ku me lojë bindëse po mund kundërshtarët e saj.

Pas fitores në derbin kërçovarë ndaj Zajazit, ekipin e Vëllazërimit nesër e pret përballja ndaj Novacit, të cilën do ta zhvillojë para tifozëve të saj. Kapiteni Kushtrim Ballazhi në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, thotë se euforia pas fitores në derbin lokal duhet të lihet anësh dhe se nesër do të duhet të kërkojnë fitoren e rradhës, me qëllim që të jenë më afër ëndërrës, inkuadrimit në Ligën e Parë.

“Nuk kemi kohë për të shijuar fitoren kundrejt Zajazit, pasi që nesër na pret sifda e rradhës në stadiumin tonë kundrejt Novacit. Besoj se me ndihmën e publikut dhe me angazhim maksimal tonin në fushë në fund do i’a dalim të fitojmë ndeshjen dhe të vazhdojmë pretendimin për Ligën e Parë” – tha kapiteni Ballazhi.

Ai i fton gjithë tifozët besnik të skuadrës së tij që në numër sa më të madh të vijnë dhe të përkrahin Vëllazërimin si në ndeshjen e nesërme, ashtu edhe në të gjitha ndeshjet deri në mbyllje të kampionatit, që gjithë secila do të jetë si një finale para finales.

Përkrahja e publikut në këto ndeshje vendimtare është më shumë se e nevojshme, pasi së bashku mund t’ia dalim dhe ta rikthejmë Vëllazërimin aty ku e ka vendin, në Ligën e Parë” – përfundoi Ballazhi.

Ndeshja midis Vëllazërimit dhe Novacit në program është nesër dhe e njëjta do të startojë në ora 16:00.

Leave a Reply