Fenerbahçe bën detyrën, Zhalgiris “shokon” Olimpiakosin (VIDEO)

Skuadra kampione e Europës në basketboll, Fenerbahçe vijon pa vështirësi rrugën e saj drejt mbrojtjes së titullit në “Euroleague”. Fenerbahçe e nisi në mënyrën më të mirë edhe fazën “play off”, pasi fitoi çerekfinalen e parë ndaj baskëve të Baskonias me rezultatin 82:73.

Në “Ulker Sports Arena” formacioni nga Stambolli mbylli çdo llogari me miqtë nga Spanja që në pjesën e parë në fund të së cilës kryesonte me 17 pikë epërsi. Për të marrë avantazhin e serisë 1-0 me ndeshje, Fenerbahçe iu fal lojës së mirë të amerikanit Uanamaker, i cili realizoi 16 pikë dhe çekut Jiry Vesely, që këtë ndshje e mbylli me 13 pikë, 2 asiste dhe 8 kërcime.

Surprizën e madhe të mbrëmjes e dhuroi skuadra lituaneze e Zhalgiris Kaunas që mposhti pas kohës shtesë brenda në Athinë, nënkampionët e Europës, Olimpiakosin. Vasilis Spanulis zhvilloi një ndeshje vërtet fantastike pasi koleksionoi në total 25 pikë, 9 asiste dhe 2 rikuperime por as paraqitja pozitive e këtij të fundit nuk i mjaftoi skuadrës greke që u thye me rezultatin 87:78.

Amerikani Dejvis dhe kanadezi Pangos ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Zhalgiris pasi të dy së bashku realizuan plot 41 pikë.

Një fitore e madhe kjo për skuadrën lituaneze që tashmë kryeson 1-0 serinë ndaj Olimpiakos dhe është vetëm 2 fitore larg historisë, kualifikimit në “Final Four”.

Leave a Reply