Kartoni i kuq ndaj Labunishtit, Ersin Fetahi dënohet me tre ndeshje (VIDEO)

Kartoni i kuq në ndeshjen e javës së 24-të ndaj Labunishtit i ka kushtuar edhe me përfundimin e këtij sezoni futbollistit të Gostivarit, Ersin Fetahi, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti i Shkëndijës, i cili si i huazuar luan te skuadra e Gostivarit në Ligën e Dytë, të shtunën ishte ndër dy futbollistët e skuadrës gostivarase që u ndëshkua me karton të kuq në atë ndeshje mjaft të komentuar, ku në qendër të vëmendjes ishte arbitri Boban Veliçkov.

Ky i fundit pasi nuk kishte parë mirë tollovinë e krijuar në minutën e 85-të, kërkoi ndihmë nga anësori, i cili edhe pse mjaft mirë kishte parë simulimin e futbollistit të Labunishtit, me rekomandimin e tij, Veliçkov vendosi që të ndëshkoj me të kuq Fetahin e Gostivarit.

Ndërkohë sot Komisioni Disciplinor pranë FFM-së kishte vendosur që Fetahi të dënohet me tre ndeshje, duke bërë që sezoni për të, të mbyllet para kohe.

Kësisoj Ersin Fetahi do të mungojë në tre ndeshjet e fundit vendimtare të Gostivarit për një vend në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, edhe atë kundër Struga Trim Lum, Vëllazërimit dhe Makedonija Gjorçe Petrovit.

Leave a Reply