Aliji i gatshëm për Gostivarin: Jemi më të mirë, ta dëshmojmë edhe në fushë

Burhan Aliji pa dyshim se është një ndër mesfushorët më të mirë që ndonjëherë kanë luajtur në futbollin tonë vendor, njofton “infOSport.mk”. Ai në ndeshjen e fundit kundër Makedonija Gjorçe Petrovit në Shkup, pësoi një dëmtim të rëndë, megjithatë tashmë gjithçka është në rregull dhe ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme kundër Gostivarit.

“Falë Zotit gjithçka është në rregull. Edhe pse vërtetë pësova një goditje të rëndë në ndeshjen ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, unë rimora veten dhe që nga dita e martë kam filluar të stërvitem bashkë me skuadrën. Tashmë jam gati për lojë, të jap maksimumin dhe të fitojmë ndeshjen ndaj Gostivarit” – tha enkas për “infOSport.mk”, Burhan Aliji.

Kumanovari i cili për shumë kohë ka luajtur edhe në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, aktualisht luan për Vëllazërimin, skuadër kjo e cila sipas Alijit është dukshëm skuadra më e mirë në ligën që garon, mirëpo disa rrethana kanë bërë që kjo skuadër të mos renditet në pozitën e parë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë të siguronte një vend për në elitën e futbollit vendor.

Megjithatë Aliji thotë se bashkë me shokë do të tentojnë që një gjë të tillë të bëjnë përmes ndeshjes së balotazhit, mirëpo për të arritur një gjë të tillë, fillimisht do të duhet të shënojnë fitore ndaj Gostivarit.

“Unë personalisht mendoj se jemi ekipi më i mirë në këtë ligë, po ja që për disa rrethana të ndryshme nuk mund të jemi më të mirët dhe në pozitën që meritojmë. Tashmë pasi nuk arritën që të sigurojmë një vend të drejtëpërdrejtë për në Ligën e Parë, një gjë të tillë do të mundohemi të bëjmë përmes ndeshjes së balotazhit, ndërsa për të bërë këtë, do të duhet të fitojmë Gostivarin nesër, që më pas të mundim edhe Teteksin në Tetovë” – theksoi Aliji.

Vëllazërimi me 49 pikë ndodhet në pozitën e tretë, teksa Gostivari me një pikë më shumë ndodhet në pozitën e dytë. Fitorja eventuale e skuadrës kërçovare në këtë ndeshje do të ndryshonte renditjen e këtyre dy skuadrave që vazhdojnë të jenë në ndjekje të Makedonija Gjorçe Petrovit, që nesër me fitore eventuale ndaj EuroMilkut, së paku do të siguronte pozitën e dytë.

Leave a Reply