UEFA nis hetimin ndaj Bufonit

UEFA ka nisur një hetim në lidhje me sjelljen e kapitenit të Juventusit, Xhanluixhi Bufon, lidhur me komentet e bëra ndaj arbitrit anglez, Majkëll Oliver, pasi ky i fundit kishte vendosur që në sekondat e fundit të kohës shtesë të akordojë një penalti në favor të Realit të Madridit në ndeshjen e kthimit të ¼  së finales në Ligën e Kampionëve, kur pikërisht nga ajo penalti Kristiano Ronaldo shënoi dhe dërgoi “mbretërit” në gjysmëfinale.

Më 11 prill, Juventusi kishte arritur të përmbyste tre golat e pësuar në Torino, duke shënuar tre gola në “Santiago Bernabeu”, por Oliver akordoi atë penalti, që në fund rezultoi fatale për Juven.

Bufon pas ndeshjes kishte shpërthyer ndaj arbitrit anglez, me fjalët: “Arbitri ka një kosh plehrash në vend të zemrës. Ai nuk është burrë, është një frikacak pa ndjenja. Njerëz të tillë duhet të qëndrojnë në tribunë duke ngrënë patatina. Na shkatërroi ëndrrën sepse nuk ishte njeri me ndjenja.”

Reali falë atij goli ishte kualifikuar për në gjysmëfinale, ku më pas sërish me shumë fat mposhti Bajernin e Munihut, ndërsa në finalen e 26 majit në Kiev, skuadra e Zinedin Zidan do të përballet me Liverpullin.

Leave a Reply