Zvicra ndaj Suedisë me kapiten shqiptarë

Përfaqësuesja e Zvicrës me plot meritë ka arritur në mesin e 16 skuadrave më të mira në Kampionatin Botëror Rusia 2018. “Helvetikët” në 1/8 e finales do të përballen me Suedinë, ndërsa në mungesë të kapitenit Stefan Lishtajner, shiritin do e mbajë futbollisti shqiptarë, Valon Behrami, njofton “infOSport.mk”.

Për futbollistin nga Mitrovica do të jetë kjo hera e parë që do e mbajë shiritin e kapitenit në një kampionat botëror. Në një intervistë për televizionin shtetëror, Behrami ka thënë se është nder për të që do të mbajë shiritin.

“Është një nder që me jepet mundësia të mbaj shiritin e kapitenit në një Kupë Bote, një shtysë për të dhënë edhe më shumë në fushë. Jam krenar që mbaj të veshur këtë fanellë”, – është shprehur Behrami.

Behrami edhe në të kaluarën ka mbajtur shiritin e kapitenit në ndeshje të caktuara, njëjtë sikurse edhe Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

Ndeshja Zvicër-Suedi zhvillohet të martën me fillim nga ora 16:00.

Leave a Reply