Penaltitë të kobshme për Prishtinën, i thotë lamtumirë Europës

Edhe përkundër tre penaltive të pritura nga ana e portierit Visar Bekaj, FC Prishtina është eliminuar nga garat e mëtutjeshme të Liga Europa, pasi sonte në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Mitrovicë u eliminua nga skuadra e CS Fola Esch nga Luksemburgu.

Njëjtë sikurse ndeshja e parë në transfertë, ashtu edhe ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbyll me barazim pa gola, me ç’rast skuadrat luajtën në vazhdime dy herë nga 15 minuta.

Megjithatë edhe këto 30 minuta shtesë nuk mjaftuan që Prishtina të shënojë, edhe pse realisht kishte disa raste të mira për të kaluar në epërsi, mirëpo pa ndonjë finalizim konkret.

Kësisoj ndeshja iu drejtua ruletit të penaltive, ku më të suksesshëm u treguan mysafirët nga Luksemburgu, duke shënuar fitore me rezultatin 5:4. Mërgim Pevqeli, Arbër Hoxha, Lorik Boshnjaku dhe Arago Jamal dështuan nga penaltia, teksa të saktë ishin Armend Dallku, Argjend Mustafa, Armend Thaqi dhe Ahmet Haliti.

Pas eliminimit të Prishtinës, futbollin e Kosovës në kupat europiane vazhdon ta përfaqësojë KF Drita.

.

Leave a Reply