17-vjeçari Ibishi debuton me gol te Vardari, por “kuqezinjtë” eliminohen nga Kupa

Futbollisti i talentuar shqiptarë, Xhemal Ibishi do të mbajë mend gjatë kohë debutimin e tij me fanellën e ekipit të parë të Vardarit, pasi i njëjti shënoi që në ndeshjen debutuese në kuadër të ndeshjes së 1/8 së finales të Kupës së Maqedonisë kundër Makedonija Gjorçe Petrovit, njofton “infOSport.mk”.

Ai sot shënoi golin e vetëm për nënkampionët e vendit, të cilët megjithatë u eliminuan, pasi u mundën nën transfertën ndaj Makedonija GJ.P me rezultatin 2:1 (ndeshja e parw ishte mbyllur me barazim 1:1).

“Jam shumë i kënaqur me këtë debutim timin me ekipin e parë. Për më tepër që arrita të shënoj. Sinqerisht nuk e kam pritur një debutim të këtillë, megjithatë me punë arrihet gjithçka, ashtu që shpresoj që edhe më tutje do të vazhdojë në këtë mënyrë dhe se do jem më pranë ekipit të parë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Xhemal Ibishi.

Djaloshi 17-vjeçar nga Saraji i Shkupit ndryshe është pjesë e gjeneratës 2000 të Vardarit, për të cilën skuadër në 4 ndeshje të këtij sezoni ka shënuar 11 gola. Ai gjatë sezonit të kaluar me moshatarët e tij kishte realizuar plotë 31 gola, ndërsa pikërisht aftësitë e tij realizuese bënë që ai sot të marrë një ftesë edhe nga ana e trajnerit Aleksandar Vasoski, duke dëshmuar cilësitë e tij edhe në ekipin e parë të “kuqezinjëve” nga Shkupi.

Ibishi shpreson të vazhdojë me këtë ritëm, ndërsa ëndërra e tij është që të arrijë të luaj në një klub të madh. Futbollisti i tij i preferuar është braziliani Firminjo i Liverpullit, ndërsa siç theksoi edhe vetë ai në intervistën me ne, me punë arrihet gjithçka, ashtu që shumë lehtë mund të ndodh që një ditë edhe këtë talent shkupjan ta shohim në ndonjë klub të madh europian. Andaj mos e harroni këtë emër, pasi para këtij futbollisti është një e ardhme e ndritur.

Leave a Reply